Pandemia e COVID-19 i ka vënë “kyçin” një pjese të madhe të shërbimeve dhe një nga më të rëndësishmet, që nuk ofrohet në këtë periudhë është edhe shërbimi dentar. Pra, të gjitha klinikat dentare në mbarë vendin janë mbyllur me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi stomatologët janë të parët që rrezikojnë më shumë nga ky virusi, madje ndoshta edhe më shumë se një mjek infektiv. Kjo për faktin se kanë kontakt të drejtpërdrejtë me spërklat e personave, që mund të jenë të infektuar me virusin famëkeq “korona”. Gjithsesi, duket se vetë stomatologët e kanë pranuar me qetësi vendimin për t’u mbyllur, duke njohur edhe rrezikun që i kanoset dhe ndryshe nga bizneset e tjera, ata nuk ankohen megjithëse pranojnë se dëmi financiar do të jetë i lartë, por shprehin besimin se klinikat dentare do ringrihen shumë shpejt. Nga ana tjetër, pezullimi i aktivitetit të shërbimit dentar dhe orientimi i urgjencave në Klinikën Stomatologjike Universitare ka shkaktuar një pamundësi të trajtimit të të gjithë pacientëve që kanë nevoja për trajtime dentare.
Stomatologët: Më të rrezikuarit nga spërklat
Sipas stomatologëve, të cilët kanë në zotërim ose punojnë në klinika dentare, shpjegojnë se shërbimi dentar është cilësuar si një shërbim me risk shumë të lartë kontaminimi dhe shpërndarje të virusit Covid-19 si shkak i shpërndarjes me anë të aerosolit.
“Përdorimi i instrumenteve me xhiro shumë të shpejta si edhe i shiringës së ajrit gjatë trajtimeve dentare shkakton një shpërndarje të menjëhershme të spërklave, duke u bërë burim i menjëhershëm kontaminimi”, shpjegon Elda Dervishi, stomatologe. Sipas saj, kjo mbyllje pa afat, përveçse mbingarkesë në momentin e rikthimit në normalitet, parashikohet që të shkaktojë edhe pasoja ekonomike si për ofruesit e shërbimit dentar gjithashtu edhe për pacientët. “Klinikat dentare si edhe kabinetet laboratorike do të hasen me kosto më të larta, jo vetëm për shkak të pezullimit të punës, por edhe për shkak të masave të nevojshme, të cilat duhet të merren përpara rifillimit të aktivitetit, si psh dezinfektimi i ambienteve të punës, masa profilaktike për eliminimin e riskut të kontaminimit, instalimi në vendet e punës i aspiratorëve, të cilët duhet të aspirojnë të gjitha pikat e aerosolit, masat e mara nga profesionistët si veshjet e posaçme, sterilizimi i tyre, trazhimi i pacientëve si matja e temperaturës dezinfektimi si edhe përdorimi i një produkti për shpëlarjen e gojës nga ana e pacientit për rregullimin bakteriostatik. Kosto këto të cilat duhet të merren në konsideratë nga instancat përkatëse, pasi ose do reflektohen në një rritje çmimesh në shërbimet e ofruara ose do gjendet një mënyre kompensimi dhe ekuilibrimi”, shpjegon Dervishi. Gjithashtu, ajo vë në dukje se pritet të ulet ndjeshëm për shkak të nevojës për marrjen e masave sa më strikte numri i pacientëve të trajtuar në ditë nga një kabinet dentar. “Duke uruar në një rikthim sa më të shpejtë të situatës në normalitet ne ftojmë të gjithë pacientët që për çdo shqetësim të kontaktojnë me mjekët stomatologë, të cilët janë të gatshëm t’i përgjigjen dhe t’i jenë në ndihmë nëpërmjet telefonatave për t’i këshilluar ose për t’i orientuar drejt Klinikës Stomatologjike Universitare për të mos shkaktuar një dyndje dhe në këtë institucion”, apelon stomatologia.
Ndërsa Eno Ndrio, mjek stomatolog pranë klinikës dentare “Ndriodent” thotë për Portavendore.al se është shumë dakord me vendimin që klinikat dentare të qëndrojnë mbyllur, madje shton se ato duhet të jenë të fundit që duhet të hapen.
“Jam absolutisht dakord duke qenë se ne jemi shumë të rrezikuar nëse trajtojmë pacientë me koronavirus. Duke qenë se ne punojmë te goja e njerëzve risku është i lartë që ta marrim këtë lloj sëmundje dhe pastaj ta përhapim te familjet tona. Dhe madje mendoj se klinikat dentare duhet të hapen të fundit”, thekson ai. Stomatologu thotë se nëse kjo periudhë zgjat shumë, ashtu si shumë biznese të tjera edhe klinikat dentare rrezikojnë të falimentojnë. Por ai shpreh besimin se nëse klinikat hapen në qershor atëherë ata do të kenë mundësi të rimëkëmben shumë shpejt.
“Në fakt kjo është një gjë që na ka kapur të papërgatitur, por duke marrë parasysh se ne kemi kosto fikse siç janë qiratë, kostot që janë fiskale me shtetin dhe normalisht edhe pagesat për personelin, pasi ata këto të ardhura kanë dhe duhen ndihmuar në një farë mënyre, mund të them se kostoja është e pallogarishtme. Nëse kjo periudhë zgjat shumë, jo vetëm klinikat, por edhe shumë biznese mund të falimentojnë. Megjithatë, duke parë që kurba e të infektuarve sikur po ulet dhe duke shpresuar që brenda qershorit ne mund të hapemi mendoj që do ketë një farë dëmi, por jeta do fillojë sërish. Ne nuk bëjmë tregti luksi. Ne ofrojmë shërbim mjekësor dentar dhe njerëzit gjithmonë do kenë probleme me gojën. Kështu që mendoj se edhe rimëkëmbja e klinikave dentare do jetë e shpejtë. Shpresoj të paktën. Madje në këtë periudhë ne kemi bashkëpunuar me Kryqin e Kuq dhe kemi përgatitur 50 pako të plota ushqimore për njerëzit në nevojë dhe i bëj thirrje edhe klinikave të tjera dentare që t’i bashkohen nismës dhe të japin një kontribut sado të vogël për njerëzit që janë në vështirësi në këtë periudhë”, apelon stomatologu.
Ai thotë se gjatë gjithë kësaj periudhe ka marrë telefonata nga pacientët e klinikës së tij, të cilët kanë pasur shqetësime nga më të ndryshmet. “Gjatë gjithë kohës marr telefonata. Të gjithë pacientët me të cilët ne kishim filluar punën për të rregulluar gojën dhe është ndërprerë puna, të gjithë kanë telefonuar për shqetësime dhe i kemi drejtuar te QSUT”, tregon Ndrio.
Dentisti, shërbimi i munguar gjatë Covid-19
E në fakt janë të shumtë qytetarët që gjatë kësaj periudhe kanë pasur shqetësime nga më të ndryshime në lidhje me dhëmbët dhe kanë pasur nevojë për shërbim dentar. Adriana thotë se sapo kishte nisur të gërryente dhëmbët për të vendosur proteza dhe tani me mbylljen e klinikës dentare, goja i ka mbetur përgjysmë. Kjo jo vetëm që i shkakton problemeve shëndetësore, pasi nuk përtyp dot mirë ushqimin, por duket keq edhe nga ana estetike. “Për mua është hall i madh që është mbyllur klinika dentare. Më ka mbetur goja përgjysmë. Sapo kisha nisur të gërryeja dhëmbët dhe tani më kanë mbetur si kunja. Nuk e di si do qëndroj kështu edhe përsa kohë. Sinqerisht mezi po ushqehem, pasi nuk i përtyp dot mirë ushqimet. Dhe gjëja e mirë në këtë periudhë është që të gjithë po mbajmë maska dhe nuk na duket buzëqeshja se po të mos mbaja maska s’do dilja dot në prag të derës pasi dukem shumë keq pa dhëmbë”, tregon Adriana.
Fatbardhi gjithashtu ankohet se ka një dhëmballë të thyer dhe prej disa ditësh është duke përdorur antibiotikë dhe qetësues që të mos ndjejë dhimbje. “Kam një dhëmballë të thyer dhe nuk kam ku të shkoj. Në klinikën te QSUT isha, por nuk ofrojnë shërbimin për mbushje sepse rrezikojnë përhapjen e virusit. Kam vështirësi në ngrënie dhe dhimbje. Po përpiqem ta shtyjë me ilaçe, por duke parë situatën kjo periudhë mund të zgjasë dhe unë nuk e di sa mund të duroj kështu”, thotë ai.
Stomatologët e QSUT “heronjtë” e periudhës Covid-19
Klinika e vetme dentare që po qëndron hapur në kohën e kësaj “lufte” kundër pandemisë është klinika stomatologjike universitare. Janë 26 stomatologë që janë në punë çdo ditë nga ora 7.30 e mëngjesit deri në 12:00 të natës, duke ofruar këshilla dhe shërbim urgjent për të gjithë ata qytetarë që kanë dhimbje apo infeksione dentare. Anis Thodhorjani, drejtor i klinikës stomatologjike universitare rrëfen për Portën Vendore se pavarësisht fluksit të shtuar këto ditë dhe pavarësisht përhapjes së virusit korona ata nuk kanë frikë sepse i kanë marrë të gjitha masat për t’u mbrojtur. “Klinika stomatologjike universitare punon me staf të plotë për të përballuar emergjencat këto ditë dhe është i vetmi institucion që po punon këto ditë. Frikë nuk kemi sepse i kemi marrë masat që në ditët e para duke u përpjekur të plotësojmë të gjitha masat mbrojtëse për stafin të cilat përfshijnë maskat me 3 filtra, skafandrat, veshjet njëpërdorimshme, veshjet kirurgjikale. Kemi plotësuar të gjitha normat e distancimit midis pacientëve dhe deri tani po ia dalim. Jemi në total 26 veta staf dhe punojmë nga ora 7.30 deri në 12 të natës”, tregon zoti Thodhorjani.
Ai thotë se fluksi i pacientëve është shtuar ndjeshëm, ndërsa në ditë trajtojnë deri në 110 pacientë. “Fluksi i pacientëve ka filluar ditët e para me 20-30 pacientë në ditë, ndërsa në momentin që flasim ka shkuar në 100-110 pacientë në ditë. Krahasuar me ditët para Covid-19 nuk diskutohet që fluksi është më i lartë, por edhe intensiteti është më i lartë, sepse shumica e pacientëve vinin nga pra 7.30 deri në orën 13.00 që ishte edhe fasha e lejuar e orarit. Ndërsa pasdite vijnë vetëm ato pacientë që kanë dhimbje dhe nuk i durojnë dot. Pra, ka një intensitet shumë të lartë pacientësh paradite”, tregon drejtori i klinikës stomatologjike pranë QSUT.
Tre qarqe, pa shërbim dentar
Por ndryshe nga Tirana paraqitet situata në qytetet e tjera. Porta Vendore kontaktoi me spitalet rajonale të secilit qark, ku janë të angazhuar shërbimet dentare shtetërore dhe rezulton se në të paktën në 3 prej tyre ky shërbim nuk ofrohet. Fieri ishte një ndër qytetet e para që mbeti pa këtë shërbim, i cili ofrohej në poliklinikën kryesore të qytetit. Por, në këtë qendër, një person rezulton pozitiv me Covid-19 dhe i gjithë shërbimi u mbyll, duke përfshirë këtu dhe atë dentar. Por, ky shërbim nuk ofrohet as në Gjirokastër dhe Berat. Sipas të dhënave, pranë spitaleve të këtyre dy qyteteve nuk ka asnjë mjek stomatolog që të ofrojë këtë shërbim dhe qytetarë, të cilët nuk preferuan të identifikohen me emër, thanë për Portën Vendore se disa shërbime bazë po ofrohen fshehtas nga dentistët e tyre, por pa vënë në rrezik jetën. Kryesisht, bëhet fjalë për ndonjë heqje dhëmbi ose dhëmballe dhe ndonjë mjekim për qetësim dhimbjesh. Ndërsa në qytetet e tjera, sipas të dhënave zyrtare të drejtorive spitalore rajonale, të siguruara nga Porta Vendore, Shkodra, Lezha, Kukësi, Dibra, Durrësi, Elbasani, Korça dhe Vlora, ky shërbim ofrohet vetëm pranë spitaleve rajonale. Megjithatë, ky shërbim është më i mangët se klinikat private, pasi mjetet e punës nuk janë aq të kohës e në disa raste punohet me teknologji të vjetër. Situata në rrethe pranohet dhe nga vetë kreu i Urdhri të Stomatologëve, Nikollë Deda. “Ndërsa në Tiranë qëndron e hapur klinika universitare edhe nëpër rrethe shërbimi i stomatologjisë ofrohet nga strukturat shtetërore, kryesisht përmes këshillave që jepen nga telefoni”, thotë Deda.
Stomatologët rrezikojnë më shumë se mjeku infektiv
Stomatologët ishin të parët që kufizuan shërbimet për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi deri në mbylljen totale të të gjitha klinikave në të gjithë vendin. Nikollë Deda, kryetari i Urdhrit të Stomatologëve të Shqipërisë shpjegon për Portën Vendore se ky vendim ishte i duhuri dhe u mbështet nga 70% e anëtarëve të urdhrit. Kjo për faktin se nga puna specifike që bëjnë stomatologët janë shumë të rrezikuar të infektohen me koronavirus. Madje, siç thotë ai, janë më shumë të rrezikuar stomatologët sesa mjekët që punojnë pranë spitalit infektiv.
“Ne që në fillim të shkurtit si Urdhër i bëmë thirrje stomatologëve që të minimizojnë shërbimin dhe të shikojnë më shumë vëmendje standardet e mbrojtjes nga Covid-19. Kjo për faktin se stomatologët kanë një punë shumë specifike dhe rrezikon shumë nga përhapja e koronavirusit. Realisht kur e bëmë këtë thirrje dhe i propozuam Ministrisë së Shëndetësisë që të mbylleshin klinikat, ishin rreth 70% të stomatologëve dakord. Pra, janë rreth 1300 klinika stomatologjie në të gjithë Shqipërinë dhe në mbarë vendin janë rreth 2500 stomatologë dhe do ishte një vatër e një mundësi shpërndarje shume e madhe e virusit. Stomatologët së bashku me familjet e tyre janë një komunitetit mbi 30 mijë veta. Mbi 90% të rasteve stomatologu rrezikohet vetë, ndërsa pacienti është i garantuar nga çdolloj infeksioni. Pra pacienti nuk ka asnjë rrezik. Kurse stomatologu vetë është i rrezikuar maksimalisht. Më shumë se mjeku që punon në reanimacion është i rrezikuar nga rasti që i vjen. Kjo për faktin se këtë sëmundje 85% e personave e kalojnë në mënyrë të padukshme, pra nuk dihet nëse e ka. Ndaj dhe stomatologët janë të rrezikuar nga puna me frezën, nga spërklat e ujit dhe të pështymës së pacientit”, shprehet zoti Deda.
Ai thotë se në shtetin fqinj në Itali klinikat dentare janë akuzuar se kanë shërbyer si vatra për përhapjen e koronavirusit. I pyetur për klinikës stomatologjike universitare e cila është e vetmja klinike dentare që ofron shërbime, sesa të rrezikuar janë stomatologët në këto ditë pune, Deda thotë se ata duhet që të kryejnë një testim tamponi për të kontrolluar nëse janë ose jo të infektuar. Megjithatë ai sqaron se klinika universitare trajton vetëm rastet urgjente dhe nuk bën mbushje dhëmbësh.
“I kam propozuar drejtorit të klinikës universitare në mënyrë private që të shfrytëzohet mundësia që të bëhet testimi i stomatologëve nëse janë prekur ose jo. Megjithatë stomatologët që kryejnë punën tek qendrat universitare nuk kryejnë punë të rrezikshme. Sepse rreziku kryesor është mbushja e dhëmbëve ose vendosja e dhëmbëve, pra kur punon me frezë është punë e rrezikshme. Ndërsa në klinikën universitare trajtojnë vetëm rastet urgjente. Pra, nuk rrezikojnë shumë. Megjithatë një test ata duhet ta bëjnë”, shprehet Deda.
I pyetur se sa të dëmtuar janë financiarisht klinikat dentare nga ky pezullim total i aktivitetit të tyre, kryetari i Urdhrit të Stomatologëve thotë se fatura financiare është shumë e madhe por në këto kushte stomatologët do të duhet të “shijojnë” pushimin e detyruar sesa të rrezikojnë jetën e tyre. “Fatura financiare është shumë e madhe. Realisht shumë e madhe, por stomatologët të jemi realistë nuk janë në atë pikë që për një muaj të falimentojnë. Me humor unë kam thënë që ata punojnë 10 -12 orë në ditë tani të shijojnë se janë me leje vjetore. Ne jemi të përfshirë në paketën financiare të qeverisë. Ne jemi mbyllur me urdhër qeverie dhe të gjithë ata që janë mbyllur me vendim qeverie marrin kompensim. Kompensimi është minimal, por më mirë pak sesa hiç. Ne futemi te biznesi i vogël dhe përfitojmë kompensim njëlloj si biznes i vogël. Klinikat dentare që janë biznes i madh numërohen me gishtat e dorës”, tha Nikollë Deda, kryetari i Urdhrit të Stomatologëve të Shqipërisë, ndërsa shton se pezullimi i aktivitetit nuk duhet të zgjatet përtej prillit.